Vetëm njërit nga personat e arrestuar për vrasjen e Ramazan Hasalli, i cili ishte kalimtar i rastësishëm, i l është dhënë masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, teksa për 4 të tjerët Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.

Konkretisht, Agron Kollçaku, i është dhënë masa e sigurisë arrest në shtëpi, ndërsa Marjus Aliu, Erald Hyka, Adrian Dedej, si dhe Qazim Merkja, janë lënë në burg.

Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash, si  “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”; “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë’; “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Moskallëzim krimi”.

Paraditen e 4 korrikut 2019 Ramazan Hasalli, gjeti vdekjen nga breshëria e armëve mes dy grupeve rivale, teksa ishte duke shkuar të blinte bukën në furrën pranë lagjes, në qytetin e Kavajës. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe 5 persona.

Top Channel ka mësuar, se konflikti ka nisur me palët kundërshtare mbrëmjen e 3 korrikut mes Eraldo Hykës dhe Denis Alisë, për të pasur një përplasje tjetër fizike në qendër të Kavajës mëngjesin e 4 korrikut. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të rinjtë, pasi një orë më vonë të po asaj dite,  morën armët dhe i zbrazën ndaj njëri tjetrit në lagjen numër 2 të qytetit.

Breshëria e plumbave nuk ka kursyer as njerëzit që ndodheshin aty pranë, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur, Eraldo Hyka, Rustem Berberi, Sali Mekja, Arben Hajdinin dhe autori i dyshuar Marjus Aliu. Kalimtari Ramazan Hasalli gjeti vdekjen e menjëhershme nga plumbat e marrë në trup.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel