“Kujtesa ka një vend të rëndësishëm ose një rol të rëndësishëm. Jo në aspektin e riprodhimit të ngjarjeve konkrete të jetura, sesa të përftimit të një bote ku kujtesa ndërvepron me imagjinatën. Një bote ku unë ndihem mire kur e mendoj gjatë kohës që shkruaj dhe ku vendosen ngjarjet dhe personazhet. Totalitarizimi për mua është e keqja absolute, qoftë Stalini, qoftë Hitleri, qoftë Enveri.”

Kështu u shpreh për Top Channel shkrimtari Bashkim Shehu menjëherë pas cmimit letrar “Balkanika” që i dha atij romani “ Loja, shembja e qiellit”. Çmim që përcakton shkrimtarin më të mirë të Ballkanit.

Ndërkohë që me të njëjtin roman, autori sapo qarkulloi edhe në Itali nga Botimet Rubbettini. Libri vjen me përkthim të Paolo Rago me titullin “La rivincita” (Shpagimi).

“Loja, shembja e qiellit” meritoi çmimin special të jurisë të Prix Méditerrané Etranger, më 2018, pas botimit të tij në frëngjisht.

Më 27 qershor u bë edhe prezantimi i parë i këtij romani në Fano, në Itali, në prani të autorit Bashkim Shehu dhe me mbështetjen e prof. Matteo Mandala, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “Passaggi”.

Po ashtu përgjatë vitit të botimit, në 2013 “Loja, shembja e qiellit” u vlerësua edhe me cmimet “At Zef Pllumi” dhe “Autori më i mirë i vitit”.

Vetë shkrimtari Shehu vazhdimisht ka rrëfyer diktaturën nëpërmjet letërsisë. Ngjarjet e saj me të dënuar dhe dënuar ngrejnë romanin e tij.

Top Channel