Luhet sot në mbrëmje finalja e Copa America mes Brazilit dhe Perusë, një përballje kjo që do të transmetohet në orën 22:00 në paketën Supersport të Digitalb që ka eksluzivitetin e këtij kompeticioni. Në mitikun Maracana, skuadra 5 herë kampione e botës do të kërkojë që të regjistrojë një tjetër fitore ndaj peruanëve si në fazën e grupeve për të ngritur trofeun e kompeticionit që i mungon prej 12 vitesh.

Për më tepër Brazili do të kërkojë që të fitojë turneun pa pësuar qoftë dhe një gol të vetëm, gjë që do të ndodhte për herë të parë në 104 vjet histori të Copa America. Brazili ka pasur problemet e tij, ku kryesori ishte dëmtimi i Neymar përpara fillimit të kompeticionit, megjithatë ‘Seleçao’ arriti të shkojë deri në fazën finale të tij.

Por përballë do të ketë Perunë që pas humbjes 5-0 ndaj 5 herë kampionëve të botës është përmirësuar në paraqitjet e tij teksa në rrugëtimin e saj eliminoi 2 prej skuadrave pretendente për të fituar titullin, Uruguajin dhe Kilin.

Historia e përballjeve mes Brazilit dhe Perusë flet pikërisht 5 herë kampionët e botës që kanë fituar 77% të ndeshjeve ndaj rivalëvë. Për më tepër, stadiumi Maracana është një hajmali për ‘Seleçaon’ që ka humbur vetëm 7 ndeshje në 106 të luajtura në impiantin mitik, ku humbja më e dhimbshme është finalja e botërorit 1950 ndaj Uruguajit.

Top Channel