Franca dhe Spanja do të diskutojnë një tjetër titull evropian në basketbollin e femrave. Skuadra spanjolle e Lucas Mondelo eliminoi në gjysmëfinale Serbinë, skuadrën e një prej vendeve pritëse të kompeticionit më të rëndësishëm kontinental teksa e mundi me rezultatin 71-66 duke i rezistuar mjaft mirë edhe presionit të publikut serb që në asnjë moment nuk rreshti së mbështeturi skuadrën e tyre.

Skuadra spanjolle ishte dominuese në 3 periodat e para të sfidës gjatë së cilës arritën të krijonin një diferencë deri në 10 pikë. Në periodën e fundit, Serbia e rriti presionin mbi kampionet në fuqi të Evropës, por këto të fundit ditën të rezistonin duke prerë kështu biletën për në finalen e këtij evropiani. Franca nga ana e saj mundi në gjysmëfinale Britaninë e Madhe me rezultatin 63-56.

Ishte pikërisht Britania ajo që i bëri një fillim më të mirë të ndeshjes teksa fitoi periodën e parë 16-12, por pas kësaj gjithçka foli për skuadrën transalpine që dominoi 3 periodat e tjera të kësaj sfidë për të mbyllur përfundimisht llogaritë e saj pikërisht me rezultatin 63-56. Franca dhe Spanja do të luajnë në një finale të Evropianit të basketbollit të femrave për herë të katërt.

Në 3 sfidat e mëparshme e fituar ka dalë gjithnjë Spanja, me transalpinet që këtë vit kanë rastin të thyejnë këtë hegjemoni të basketbollisteve iberike të cilat nga ana e tyre kërkojnë titullin e katërt kontinental.

Top Channel