Vazhdojnë lëvizjet e bujshme në merkaton e transferimeve në kampionatin më spektakolar të basketbollit në botë, NBA. Sipas rrjetit televiziv ESPN, Kawhi Leonard(Koai Lenard), MVP i finaleve të kampionatit është larguar nga skuadra kampione e Toronto Raptors për t’u transferuar në Kaliforni te Los Angeles Clippers.

Gjithnjë sipas ESPN, Leonard refuzoi ftesën e LeBron James për të kaluar te Lakers duke zgjedhur skuadrën tjetër të Los Angelesit, Clippers me të cilën firmosi një kontratë 4 vjecare me një pagë prej 142 milionë Dollarë.

Por Los Angeles Clippers nuk u ndal këtu. Skuadra e Doc Rivers siguroi shërbimin edhe të një tjetri lojtari të rëndësishëm sic është Paul george që deri në fund të këtij sezoni aktivizohej me Oklahoma City Thunder.

Mësohet se ishte pikërisjht Leonard ai që e bindi George të pranojë kalimin te skuadra kaliforniane.

Me këto lëvizje, Kalifornia bëhet gjithnjë e më shumë epiqendra e basketbollit botëror. Ndërsa Golden State Warriors janë kthyer në San Francisco, LA Lakers e Clippers po kthehen në dy skuadra që do të synojnë menjëherë titullin kampion të NBA teksa kanë krijuar dy binome të frikshme; Leonard-George nga njëra anë dhe lebron James e Anthony Davis në anën tjetër.

Top Channel