Një tjetër kënd lojërash po i shtohet kryeqytetit, por tanimë në zonën e Don Boskos, i cili do t’i shërbejë rreth 5 mijë banorëve që jetojnë atje.

“Fill pas zgjedhjeve vijojmë me një nga projektet që e kam shumë më afër zemrës sime, por besoj edhe për prindërit e Tiranës, këndet e lodrave. Nëse bëmë diçka mirë në mandatin e parë, ishte fakti që çdo muaj bëmë nga një kënd të ri lodrash. Besoj se do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, çdo muaj me nga një kënd të ri lodrash edhe në mandatin e dytë. Pra, në qoftë se kemi bërë 46-47, të bëjmë edhe 50 të tjera, prandaj besoj se deri në fund të këtij mandati të kemi 100 kënde lodrash, në 100 pika të ndryshme të Tiranës”, tha Veliaj.

Po këndi i lojërave, i cili nuk do t’i shërbejë vetëm fëmijëve.

“Shpresoj që funksionet e munguara për një komunitet me 5 mijë banorë, t’i kemi pasqyruar në këtë kënd të ri lodrash. Jam shumë i bindur se edhe për të rriturit, edhe për gjyshet dhe gjyshërit që dalin me fëmijët, hapësirat rekreative, një stol, një lojë domino, një shah, është një mundësi fantastike që edhe ata të argëtohen, e që të mbajnë një sy te djemtë dhe vajzat e komunitetit. Besoj se kjo është copa e fundit që e kompleton investimin në këtë lagje: shkolla e re këtu ngjitur zgjidh çështjen e mësimin me dy turne, edhe besoj që në 10 korrik, kur të kemi gjallërinë dhe energjinë e fëmijëve, do e kemi nisur mbarë këtë mandat”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj siguroi qytetarët se puna në këtë mandat të dytë do të vijojë me të njëjtin ritëm si në katër vitet e kaluara.

Top Channel