Ramazan Hasalli, mesditën e së enjtes, shkoi të blinte bukën si zakonisht në furrën pranë lagjes. Por 50 vjeçari nuk u kthye dot në shtëpi dhe të çonte bukën në familje. Ai u gjet rastësisht në mesin e breshërive të armëve, pas një konflikti që kishin nisur një grup të rinjsh.

“Mesditën e së enjtës, qyteti i Kavajës është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku pas një konflikti me armë ka mbetur i vrarë një person dhe kanë mbetur të plagosur pesë të tjerë. Dy vëllezër, Marjus Alia dhe Denis Alia, ka qenë me makinë dhe kanë filluar goditjen me plumba në këtë drejtim dhe me pas, breshëria e plumbave ka vazhduar për rreth 40 apo 50 metra në jug të Kavajës.”

Top Channel ka mësuar, se konflikti ka nisur që mbrëmjen e së mërkurës mes Eraldo Hykës dhe Denis Alisë, për të pasur një përplasje tjetër fizike në qendër të Kavajës mengjesin e së enjtes. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të rinjtë, pasi një orë më vonë morrën armët dhe i zbrazën ndaj njëri-tjetrit në lagjen numër 2 të qytetit.

Breshëria e plumbave nuk ka kursyer as njerëzit që ndodheshin aty ku për pasojë kanë mbetur të plagosur, Eraldo Hyka, Rustem Berberi, Sali Mekja, Arben Hajdinin dhe autori i dyshuar Marjus Aliu. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, të plagosurit po trajtohen në spitalin e Durrësit dhe janë jashtë rrëzikut për jetën.

Sali Mekja dhe Arben Hajdini u plagosen rastësisht. Ata kishin dalë nga lokali aty pranë për të parë se çfarë po ndodhte.
Plumbat e zbarzur me breshëri kapën makinat e parkuara dhe bizneset në zonën e ngjarjes.

Marjus Aliu, i plagosur, po mbahet në ruajtje nga policia si autor i dyshuar i ngjarjes, ndërsa vëllai I tij, Denisi, është është shpallur në kërkim.

Ndërkaq, familjarët e Ramazan Hasallit që mbeti i vrarë aksidentalisht, kanë hapur dyert e mortit edhe janë të shokuar nga ngjarja që u ndodhi aq papritur.

Të afërm të Ramazanit shprehen se ende nuk janë në dijeni se çfarë ka ndodhur realisht.
Për këtë ngjarje të rëndë, policia ka shoqëruar disa persona si dhe ka sekuestruar automjetin që perdoren vëllezërit Aliu, si edhe mjetin e palës tjetër.

Top Channel