Kryeministri Edi Rama falënderoi efektivët e policisë së shtetit për atë që ai e vlerësoi si përkushtim, dinjitet, profesionalizëm, gjatë një ngarkesë të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike, në këto muajve të trazuar që kaloi vendi.

“Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie që kontribuoi në forcimin e profilit të një trupe policore të organizuar mirë, të përgatitur mirë dhe të gatshme për të reaguar efektivisht dhe proporcionalisht në çdo moment agresiviteti të rritur kundër shtetit dhe institucioneve. Një mirënjohje e falenderim i veçantë për 60 efektivët e lënduar gjatë tërë kohës së çmendur të protestave e të sulmeve agresive të antishtetit, të cilat u zmbrapsën me vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vetëpërmbajtje shembullore nga ana juaj”, është shprehur Kryeministri i vendit.

Kryeministri u ndal për pak minuta tek ajo që ai e quajti si simboli i rezistencës oficerja e plagosur përpara parlamentit Ina Nuka:

“Ina u plagos rëndë, jo në përballje me krimin e rrugës, por sepse u gjet përballë politikës së rrugës. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe përmes saj të gjitha vajzave që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit dhe të gjithëve ju që u përballët denjësisht me agresionin e antishtetit gjatë kësaj periudhe trazimi kombëtar, një shprehje simbolike mirënjohjeje, duke i akorduar “Yllin e mirënjohjes publike” të Kryeministrit”.

Duhet t’u përgjigjemi më shumë dhe më mirë nevojave të trupës së policisë theksoi kryeministri Rama.

“Ka ardhur koha për të riparë pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe brenda mundësive të buxhetit të shtetit, e para rritje pagash në vijim duhet të jetë për Policinë e Shtetit. Dua të falënderoj posaçërisht këtu, trupat speciale dhe drejtuesit e tyre që në këtë periudhë kaq delikate dhanë një kontribut të madh dhe përballuan një volum shumë më të madh, sesa kapacitetet e tyre objektive logjistike. Pagat e tyre do të rriten dhe po ashtu do të rritet mbështetja logjistike për ta. Ky do jetë një prioritet parësor brenda prioritetit të përgjithshëm të mbështetjes tërësore të Policisë së Shtetit.”

Top Channel