Serbët në festën e Vidovdanit/ Thirrjet “Kosova është Serbi” dhe akuza për NATO-n

28/06/2019 19:59

Nën frymën nacionaliste, komuniteti serb ka festuar festën e Vidovdanit, pak kilometra larg Prishtinës, në Gazimestan.

Me brohoritje “Kosova është Serbi” dhe mbishkrime “Nuk Dorëzohemi” ka kaluar ceremonia fetare ortodokse, e 630 vjetorit të Betejës së Kosovës, nga e cila serbët dolën humbës ndaj Perandorisë Osmane.

Të pranishmëve ju drejtua peshkopi tashmë i pensionuar, Atanasije Jevtić, i cili bëri thirrje për marrjen e Kosovës, siç tha ai nga okupatori NATO.

“Gazimestani është vendi i fitores për këtë arsye vijmë dhe këndojmë si shumë poet serb që këndojnë. Jo shumë larg Pashtrikut, në Koshare mundëm NATO-në, mundëm ushtrinë shqiptare dhe UÇK-në. Siç ka thënë Karagjiq NATO-ja është organizatë terroriste dhe okupator, ata e kanë okupuar Kosovën, për këtë poetët serb këndojnë. Do të luftojmë përsëri për çlirim të okupimit, ata që nuk luftojnë për Kosovën janë frikacakë qofshin ata edhe kryetarë shteti”, ka thënë Jevtiç

Për dallim nga pjesa tjetër e serbëve, një i ri u shpreh se Vidovdani për të është përjetim religjioz dhe aspak politik.

“Unë vij këtu çdo vit, që nga kur kam qenë 16 vjeçar. Nuk jam këtu për politikën por për të respektuar traditën dhe religjionin. Vijmë këtu që ta bëjmë një numër sa më të madh.”, u shpreh një i ri serb.

“Jam nga Vitia, kjo është dita më e shenjtë e historisë serbe, kjo është historia jonë, kjo është tradita jonë, ne jemi këtu nuk shkojmë askund nga Kosova”, ka thënë një serb nga Komuna e Vitisë së Kosovës.

“Jemi nga Shtërpca, nga Kosova dhe kemi ardhur këtu se e kemi traditë. Dihet çfarë ka ndodhur me 28 qershor dhe do mbesim besnik të kësaj derisa të jemi gjallë”, ka thënë një serb nga Shtërpca, komunë me shumicë serbe në Kosovë.

Për dallim nga vite më parë, i pranishëm nuk ishte edhe i ashtuquajturi shef i zyrës për Kosovë në Beograd, Marko Gjuriq.

Ministria e Punëve të Jashtme Gjuriqit i kishte dhënë leje për të vizituar vetëm veriun, por jo edhe pjesën tjetër të Kosovës.

Nga masat e shtuara të policisë, ceremonia përfundoi pa ndonjë incident, e të pranishëm ishin rreth 1 mijë serbë nga Kosova e Serbia.

Top Channel