Ndryshe nga mbrëmja e të mërkurës, ku presidenti i drejtoi një letër formale kryeminsitrit ku e ftonte për një takim mbi situatën politike, këtë të enjte, kreu i shtetit, i ka dërguar një letër publike.

“I dashur Edi,
Ti më ke privuar padrejtësisht, si në planin institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, nga mundësia për t’u takuar bashkë. Jam thellësisht i indinjuar dhe njëkohësisht i brengosur që pritjes sime sot, nga ora 05:00 e mëngjesit ti i’u përgjigje me një të larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.Doja ta vendosnim bashkë datën e zgjedhjeve dhe kam që nga data 8 qershor 2019 që të pres e të pres, me shpresë”- shkruan Meta.
Kreu i shtetit, i tregon në këtë letër edhe arsyen e zgjedhjes së 13 tetorit si datë për zgjedhjet lokale.
Data 13 tetor 2019 e dekretuar nga unë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, u vendos sepse kjo është data më e shpejtë për të garantuar të drejtën e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje, por edhe për të garantuar përfshirjen në procesin e administrimit të zgjedhjeve”- vazhdon më tej Meta në letër.

Presidenti Meta shprehet se me zgjedhjet monopartike, nuk ka çelje të negociatave me BE për Shqipërinë.

“Ne të dy e dimë mirë, nga ata që vendosin për të ardhmen europiane të Shqipërisë, se nuk ka çelje të negociatave me Bashkimin Europian me zgjedhje monopartiake, siç ja ke marrë vrapit t’i bësh ti, përkundrazi.Po të kujtoj se në 17-18 tetor 2019 ne presim mbledhjen e Këshillit Europian, që do të mund të vendosë për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”- shkruan Meta.

E ndërsa kryeministri e lidhi 13 tetorin, me ditëlindjen e ish- kreut të PD, Sali Berisha, Meta i kujton kryeministrit se marrëveshjet më të mëdha në vend, i ka bërë ai me Berishën.

“Ti thua se data e dekretuar nga unë është dhuratë me rastin e ditëlindjes së Doktorit më 15 tetor. Ti e di që unë nuk ta kam fshehur asnjëherë, as ty dhe as publikut, dobësinë që kam për Doktorin.Njerëz jemi, kemi edhe pika të dobëta. Por edhe ti nuk është se e “urren” aq shumë sa aktron para kamerave dhe militantëve të tu. Aq më tepër që marrëveshjet më të mëdha në këtë vend i keni bërë ti dhe Doktori, siç ishte edhe ajo brenda natës që ndryshoi themelet e Kushtetutës, që ishte votuar me referendum nga i gjithë populli, dhe pasojat e të cilës i vuajmë edhe sot”- shkruan Meta.
Duke ju lutur që të reflektojë, Meta i risjell ne vëmendje kreut të qeverisë edhe udheheqësin e fundit komunist, Ramiz Alinë.

“Natyrisht që nuk ka lidhje as me 18 tetorin, ditën e lindjes së udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia, i cili, pavarësisht formimit të tij komunist, nuk besoj se e ke harruar, tregoi përgjegjshmëri të lartë me shtyrjen e zgjedhjeve në vitin 1991, duke i krijuar hapësirat e duhura opozitës për të marrë pjesë në to, për të mirën e vendit.Ndaj të lutem Edi tregohu vizionar, reflekto dhe mos na zhgënje!”- shkruan Meta.

Top Channel