Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të jashtëligjshëm Ekipin Negociator për bisedime me Serbinë.

Ligji për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror i cili mundësoi krijimin e ekipit në krye me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti është realizuar pa qenë në përputhje me kushtetutën.

Sipas gjykatës, kompetencat për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund të bartet nga institucionet kushtetuese në një mekanizëm të posaçëm.

Gjykata konstaton se Kuvendi i Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese, përmes Kryeministrit si i pari i Qeverisë, i cili këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.

Si rrjedhojë, kryetari i PSD-së, Visar Ymeri ka thënë se gjatë së premtes do t’i dorëzojnë dorëheqjet nga Delegacioni në Kuvend.

Por, shoqëria civile thotë se ky çmimi që duhet paguar si pasojë e tekave të kryeministrit për të hequr dorë nga dialogu.

“Ai ka thënë se me dialogun duhet të merret presidenti Thaçi, por kur e ka pa për gabimet që ka bërë atëherë ka zgjedh që të shtyjë përpara krijimin e një ekipi negociator i cili qysh atëherë kur është krijuar është parë se mund të ketë probleme të funksionimit dhe kushtetuese paso ishte një ekip i krijuar për efekte politike me përfshirje madje edhe të njerëzve që fare nuk janë e institucioneve të Kosovës sic është rasti i kryetarit të Prishtinës dhe Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti”, ka thënë Mushkolaj.

Lënda për vërtetim të kushtetutshmërisë së ekipit ishte dërguar në gjykatë nga dy partitë opozitare LDK dhe LVV.

Dialogu me Serbinë tash pritet të vazhdojë përmes presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Top Channel