Presidenca ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Mathew Palmer. Presidenti i Republikës njoftoi se vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan Eliot Engel, të cilin e quan mik të vërtetë të Shqipërisë, duke mos e përmendur në fakt aspak zotin Palmer.

Deklarata

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës.

Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.

Top Channel