Këshilli i Lartë i Prokurorisë, do të nisë në korrik intervistimin e e kandidatëve që konkurrojnë për në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Kësaj procedure përveç 10 prokurorëve që kanë marrë certifikatën e drejtësisë do t’i nënshtrohen njëkohësisht edhe 12 prokurorë pretendentë, të cilët presin me ankth kontrollet e vettingut.

“Nga data 8 korrik deri më 12 korrik. Zonjat dhe zotërinjtë që kanë emrin me A, do të kenë fatin të vlerësohen të parët, e kështu me radhë. Të gjithë kandidatët do të intervistohen”, tha kreu i KLP, Gent Ibrahimi.

Anila Hoxha: Çfarë ndodh pas intervistimit, do të prisni të vettohen edhe 12 të tjerët?

“Jo nuk do të presim përfundimin e vettingut, pas intervistimit do të ulemi do të bëjmë atë ushtrim aritmetikor të vendosjeve dhe mbledhjes së pikëve dhe do të shpallim listën tonë të fituesve”, u përgjigj Ibrahimi.

Anila Hoxha: Që do të thotë?
“Ne do të rendisim të 23 kandidatët, pastaj ata që janë të gatshëm për të shkuar në SPAK, do të shkojnë pasi të kalojnë në fazat e procesit të vettingut”, u përgjigj

Nëse SPAK do të jetë me numër maksimal, apo minimal prokurorësh, Gent Ibrahimi ia lë kohës.

“Këshilli ia rezervon vetes të drejtën për të marrë një vendim për këtë çështje. Pra me numrin e prokurorëve me të cilin do të krijohet SPAK, në një moment të dytë me një vendim të natyrës ligjore, por edhe pragmatike. Në kuptimin që ne do ta krijojmë SPAK, kur të kemi një numër të arsyeshëm prokurorësh që janë renditur në 15-tshen tonë të parë, por që njëkohësisht kanë kaluar edhe në fazat e vetting. Se sa do të jetë ky numër, 5, 8, 10, ky është një vendim që KLP do ta marrë në një moment të dytë: Do të ketë brenda edhe nuanca pragmatizmi. Në kuptimin që ne kemi nevojë ta fillojmë SPAK-un, por kemi edhe nevojë që ky organizëm të mos përmbytet nga punët, por të ketë një numër të caktuar prokurorësh që të bëjnë punën siç duhet”, tha Ibrahimi.

Meqenëse SPAK kryeson listën e pritshmërive Gent Ibrahimi nuk mund t’i shmanget pyetjes: Kur do të nisë nga puna Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion?

“Brenda korrikut do të ndodhin intervistat, do të ndodhë pikëzimi dhe renditja e kandidatëve. Pra do të kemi listën e fituesve përsa na përket ne. Por ne nuk marrim një vendim për krijimin e SPAK, për sa kohë që këta kandidatë fitues nuk kalojnë shkallët e vettingut”, u përgjigj ai.

Anila Hoxha: Por çfarë ndodh pas korrikut?
“Nga ne, rrihet dhe pritet”, tha Ibrahimi.

Kandidatë të konfirmuar
Arben Kraja
Behar Dibra
Besnik Muci (apeluar)
Donika Prela (apeluar)
Dritan Prençi
Edvin Kondili
Eneid Nakuçi
Enkelejda Millonai
Vladimir Mara
Manjola Kajana

SPAK/ Kandidatë që presin
Altin Dumani
Anita Jella
Anton Martini
Besim Hajdarmataj
Doloreza Musabelliu
Dorina Bejko
Elida Karckini
Elizabeta Imeraj
Enkeleda Xhengo
Klodian Braho
Maksim Sota
Ndini Tavani

Top Channel