Zgjedhjet s’pengohen nga pjesëmarrja, fitues ai që renditet i pari me vota në listën e kandidatëve

26/06/2019 19:55

Tradicionalisht zgjedhjet lokale në Shqipëri kanë shënuar një numër të ulët në pjesmarrje. Marrë në konsidetarë situatën e tensionuar politike në të cilën zhvillohet lokalet e 30 qershorit, pa pjesëmarrjen e opozitës, dhe thirrjet e kryedemokratit Lulzim Basha për bojkotin e tyre, pjesëmarrja qytetarëve me të drejtë vote, është e veshur me shumë pikëpyetje. Por sa do të mund të ndikojë në njohjen e këtyre zgjedhjeve një pjesëmarrje e ulët? Bledar Skërnderi, antar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve shpjegon se cfarë parashikon kodi zgjedhor për pjesëmarrjen.

“Me dispozitat aktuale që ka kodi zgjedhor nuk ka prag pjesëmarrje që zgjedhjet të quhen të vlefshme. Kodi zgjedhor nuk ka kufi as për pjesëmarrje dhe as për përqindjen e votave që merr kandidati fitues. Mjafton që ai të renditet i pari në listën sipas klasifikimit”, thotë Skënderi.

Edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar të ligjeve të intervistuar nga Top-Channel nuk shikojnë asnjë problem me pjesëmarrjen.

“Nuk e kemi as në Kushtetutë dhe as në Kodin Zgjedhor të sanksionuar sa përqind e zgjedhësve duhet të marrin pjesë. Nga pikëpamja praktike besoj se njerëzit do të vinë në zgjedhje pamvarësisht problemeve që ka sot Shqipëria. Keni parasysh që janë zgjedhje administrative lokale që përgjithësisht dhe unë kam një eksperiencë të gjatë të këtyre zgjedhjeve dhe në përgjithësi ato edhe kur ka qenë PD në votime përqindja ka qenë shumë e ulët në raport me pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare”, thotë Bashkim Fino, deputet i PS.

“Nuk ka përcaktime në kodin zgjedhor as në Kushtetutë për rrjedhojë kështu që teorikisht sikur 5 vetë të shkojnë në votime dhe të votojnë pro kandidatit konsiderohet fitues”, thotë Spartak Braho, deputet i PS.

“Nuk ka asnjë pengesë ligjore që të përcaktojë kufizime si kushtetuese apo në ligjin zgjedhor për numrin e pjesëmarrësve në votime. Gjithçka që lidhet me numrin e votuesve pjesëmarrës ne votim lidhet me retorikën politike që mendoj se do të jetë pas realizimit të procesit zgjedhor. Për mua s’ka asnjë problem pasi të gjithë shqiptarët do të ushtrojnë të drejtën për të votuar”, thotë Adnor Shameti, deputet i PS.

Pjesëmarrja ka rëndësi vetëm në rastet e votimit të një refendumi ku përcaktimet janë të sanksionura në ligjin 7866 të vitit 1994 dhe atë 8416 të vitit 1998.

Top Channel