Georgo Dalaras vjen për koncertin e tij të parë në Shqipëri. Këngëtari jo vetëm grek, por ndërkombëtar do të këndojë në disa gjuhë, në koncertin që do të mbajë të mërkurën mbrëma në “Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës”, biletat e të cilit janë tërësisht të shitura.

Surpriza është që do të ketë edhe këngë në gjuhën shqipe.

“Ndjesinë e gëzimit dhe lumturisë e kemi të gjithë ne, jo vetëm unë, por edhe orkestra dhe e presim me shumë interes koncertin e sotëm”, është shprehur Georgo Dalaras.

Dalaras njihet për faktin e të qenit tërësisht i rezervuar. Nga kërkimet për të ekzistojnë një numër minimalist intervistash megjithëse karriera e tij është e gjatë. Por ndjesitë e shtynë të përgjigjej për mikrofonin e Top Channel.

“Është një ndjesi shumë e veçantë, mbasi është një ftesë e përbashkët nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada dhe në harmoni”, ka thënë ai.

Ndërsa e pyesim a është i ndërgjegjshëm për emrin e madh që ka përtej Greqisë, madje edhe në Shqipëri, artisti e ruan modestinë deri në fund.

“Janë shumë bashkëqytetarë tuajit që jetojnë në Greqi dhe gjithë këto vite ne kemi qenë bashkë si në të mira dhe në të këqija. Muzika gjithmonë bashkon, dhe ky bashkim është ai që ka vlerë dhe ka më shumë rëndësi.”

Zgjedhja e Amfiteatrit si sken, për të ishte e një rëndësie të veçantë.

“Unë nuk doja të këndoja në një club nate, por preferova të këndoj në Amfiteatër se ajo është më afër meje. Këto janë këngë që këndohen në të gjithë Ballkanin. Është lloji i këngës që na bashkon dhe për të cilën unë jam shumë i gëzuar dhe për këtë arsye jam këtu”, është shprehur ai
.
“Kam shkuar në shumë vende të botës. Kam kënduar në Portugalisht, kam kënduar në Spanjisht. Në fund rëndësi ka nga vjen muzika. A arrin ajo të shkojë nga zëri në zemër, kjo është ajo që është më e rëndësishme. Do luajmë dhe tre këngë shqiptare, të cilat mi ka mësuar orkestranti im nga Shqipëria që quhet Taso Kurti.”

Koncerti ka si partner mediatik “Digitalb” dhe skena e Afiteatrit do të pushtohet nga tingujt e kitarës dhe zëri i Dalarasit në orën 21.

Top Channel