Botërori i femrave/ Italia, Holanda mes 8 më të mirave

26/06/2019 11:42

Holanda dhe Italia janë dy skuadrat që plotësojnë kuadrin e çerekfinaleve të Botërorit të Futbollit të Femrave të Francës.

Skuadra holandeze mundi në 1/8 e finaleve Japoninë me rezultatin 2-1 në një ndeshje ku protagoniste absolute u bë Lieke Martens me sulmuesen e Barcelonës që ishte autorja e të dy golave për skuadrën e saj. Holanda e mori avantazhin në minutën e 17 me Martens që shënoi një gol vërtet të bukur me thembër. në fundin e pjesës së parë Japonia gjeti golin e barazimit me Hasegava.

Në pjesën e dytë, ishin futbollistet japoneze që iu afruan më shumë golit të dytë, por atë e gjeti Holanda në minutën e 90 pikërisht kur u mendua se sfida po shkonte drejt barazimit.

Në atë moment, Holandës iu akordua një 11 metërsh që u shndërrua në gol nga Martens duke u bërë skuadra e 7 evropiane në cerekfinale të Botërorit. Kundërshtarja e Holandës në çerekfinale do të jetë Italia që për herë të parë kalon një raund me eliminim direkt në një eveniment si Kupa e Botës. Italia eliminoi në 1/8 e finaleve Kinën të cilën e mundi 2-0.

Italianet e gjetën shumë shpejt golin me Giacintin, por që u anulua për pozicion jashtë loje. megjithatë sulmuesja e Milanit shumë shpejt gëzoi sërish për një gol të shënuar që këtë radhë ishte i rregullt duke i dhënë Italisë avantazhin 1-0. Në fillimin e pjesës së dytë ishte Aurora Galli ajo që ndëshkoi sërish Kinën duke e çuar rezultatin në 2-0 që mbeti i tillë deri në fund të 90 minutëshit.

Top Channel