“Sanksionet idiote të Amerikës e mbyllën përfundimisht derën e diplomacisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”, ky ka qenë reagimi i Teheranit ndaj vendimit të firmosur një ditë më parë nga presidenti Donald Trump.

Presidenti i Republikës islamike Hasan Rouhani e quajti shefin e Shtëpisë së Bardhë një gënjeshtar dhe ofertën e tij të bisedimeve, një farsë.

“Në të njëjtën kohë kur bën ofertë për negociata, sanksionon ministrin tonë të Jashtëm? Kjo tregon qartë që po gënjen. Po të donte vërtet të negocionim, tani do të ishim në tryezën e bisedimeve”, tha Hassan Rouhani, lideri i Iranit.

Trump miratoi sanksionet e reja e me të ashpra financiare ndaj Iranit, në shënjestrën e të cilave ishin mes të tjerësh lideri Suprem i vendit, Ayatollahu Ali Khamenei, dhe shefi i diplomacisë iraniane, Jawad Zarif.

Presidenti amerikan e bëri të qartë se urdhri ekzekutiv do të frenojë qasjen që Khamenei dhe Irani kanë tek tregjet financiare botërore.

Në bindjen e tij, masat e reja, që bllokojnë pasuri të Iranit me vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve, janë një përgjigje “e fortë dhe proporcionale” e SHBA-se ndaj rrëzimit të dronit amerikan javën e kaluar.

Washingtoni thotë se sulmi iranian thotë se ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare pranë ngushticës së Hormuzit, Irani pretendon se incidenti ndodhi mbi hapësirën e tij ajrore. megjithëse po vendos sanksione, Trump u shpreh se mezi pret që të vijë koha kur ato të hiqen.

Top Channel