Shkëndija mes ‘yjeve’/ Renditja, Nadal kundër Federer

25/06/2019 19:04

Zgjedhja e organizatorëve të turneut të Uimbëlldon-it për të promovuar si kokë serie me numrin 2, Roxher Federer, hasi në kritikat e hapura të tenistit tjetër elitar Rafael Nadal.

Sportisti spanjoll që mban numrin 2 në renditjen globale, pikërisht përpara zviceranit, e cilësoi të padrejtë vendimin e autoriteteve në aktivitetin londinez që gjeneron miliona fitime dhe është mes më të ndjekurve në këtë disiplinë.

“Nuk e respektojnë fare statusin e klasifikimit dhe këtë e bëjnë vetëm në Uimbëlldon. Nuk është vetëm çështja ime por ka ndodhur dhe herë të tjera me tenistë që kanë luajtur mirë gjithë vitin dhe nuk janë vlerësuar. Kështu na detyrojnë të kemi një kalendar më të komplikuar”, është shprehur Rafael Nadal.

Në turnetë e tjerë Grand Slem i vendosin kokat e serisë në tenis në bazë të renditjes botërore, ndërsa në turneun londinez përdoren edhe rezultatet në fushat me bar. kështu Roxher Federer renditet i dyti pas numrit 1 të botës Novak Gjokovic, duke zbritur në shkallën më të ulët, spanjollin Nadal, praktikisht duke i dhënë një short më të vështirë në Uimbëlldon.

Top Channel