Diversiteti racor është përmirësuar vitet e fundit, sipas super modeles britanike Naomi Campbell, por industria e modës, shton ajo, nuk duhet të trajtojë këtë gjë thjesht si një tendencë momenti të pasarelave.

E mbiquajtura “pantera e zezë” e ka ngritur zërin prej kohësh për diskriminimin në një industri pjesë e së cilës është prej 33 vitesh.

Naomi 49 vjeçare, ka qenë e para modele me ngjyrë që doli në kopertinën e Vogue në Francë e Amerikë dhe në atë të revistës “Time”.

Gjërat më në fund po ndryshojnë në raport me diversitetin është shprehur modelja e famshme për “Reuters”, megjithatë uroj që njerëzit të mos e shohin thjesht si një lloj trendi, ashtu siç konsiderohen rrobat e një sezoni, që një herë janë shumë në modë, e pastaj nuk janë më.

“Përmirësime ka, por mbetet ende një rrugë e gjatë përpara”, shton ajo.

Naomi e nisi karrierën si adoleshente dhe ka zbritur në pasarelat e modës për emrat më të fuqishëm, si “Versace”, “Chanel”, “Prada” apo “Dolce & Gabbana”.

E konsideruar një prej pesë super modeleve më të mëdha të fillimit të viteve 1990, Campbell ka mbuluar që prej atëherë kopertinat e më shumë se 500 revistave.

Por megjithëse mbetet tejet e vlerësuar, modelja shkroi këtë muaj për revistën “Vogue” në Britani se vetëm kohët e fundit ka nisur të ndihet pak më mirë me ngjyrën e saj të lëkurës.

Top Channel