Grupimi i Qendrës së Djathtë, ku bëjnë pjesë PR, PDK, PAA, LZHK dhe PBDNJ, i kanë bërë thirrje sot qytetarëve që të mos bëhen pjesë e votimeve në 30 qershor, pasi e konsiderojnë një process farsë antikushtetuese dhe antidemokratike.

Ky grupim thekson se vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm ku po kërcënohet pluralizmi politik.

“Në kundërshti totale me ligjin dhe me dekretin e Presidentit, tashmë të botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ vijojnë moskokëçarës projektin e tyre për zgjedhje monopartiake. Fasada institucionale me të cilën kanë veshur kapjen e tri pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po përdoret për të simuluar ligjshmërinë në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Grupimit të Djathtë.

Deklarata

Të nderuar qytetarë, si rrallëherë në këto tri dekada, vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm që kërcënon një arritje të shenjtë për çdo popull: Pluralizmin politik.

Në kundërshti totale me ligjin dhe me dekretin e Presidentit, tashmë të botuar në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e ‘Rilindjes’ vijojnë moskokëçarës projektin e tyre për zgjedhje monopartiake.

Fasada institucionale me të cilën kanë veshur kapjen e tri pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po përdoret për të simuluar ligjshmërinë në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj.

Përballë kësaj organizate, vlerat morale të së cilës u shpalosën qartë në sytë e gjithë botës nga përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild, e vetmja alternativë është qëndresa qytetare.

Për këtë arsye, Grupimi i Qendrës së Djathtë, në unison me opozitën e bashkuar, i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të mos bëhen pjesë e procesit farsë të 30 Qershorit dhe të refuzojnë me neveri votime antikushtetuese dhe antidemokratike.

Ne inkurajojmë Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë të vijojë misionin e saj legjitim, për të bërë, as më shumë dhe as më pak sesa atë që bëjnë të gjithë popujt liridashës, nga të cilët ne frymëzohemi kur demokracia është në rrezik!

Top Channel