“Ferri” drejt Europës. Në Francë, Gjermani, Belgjikë po merren masa kundër vapës

25/06/2019 17:35

Ferri po vjen, thonë mediat e huaja, për valën e të nxehtit që ka vënë në alarm ende pa mbërritur mirë autoritetet në gjermani e Francë.

Ekspertët vërejnë se valët e të nxehtit janë në rritje në mbarë botën, e këtë e konsiderojnë dëshmi të mëtejshme të pasojave të ngrohjes globale, mbi planetin tonë.

Ballkani dhe Shqipëria, duket nuk do të përjashtohen nga kjo valë të nxehti afrikan, megjithatë sinoptikanët i zbusin parashikimet për rajonin, duke thënë se këtu, termometri mund të shënoje e shumta 38 gradë.

Situata do të vazhdojë deri në fillim të korrikut. Në Gjermani, temperaturat pritet të tejkalojnë 40 gradë Celsius, duke kapërcyer rekordin e vendosur për këtë periudhë, në Frankfurt, në vitin 1947.

Zjarret pyjore janë ato që shqetësojnë në mënyrë të veçantë autoritete gjermane, sidomos në verilindje të vendit.
Banorëve në “Lieberoser Heidi”, në juglindje të Berlinit, iu kërkua të mbajnë mbyllur dyert e dritare, ndërsa ekipet e ndërhyrjes së shpejtë u përballën me një zjarr që shpërtheu të hënën dhe u përhap në një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh.

Ai nuk pritet të fashitet përveçse pas disa ditësh. Meteo-Francë kishte parashikuar që temperatura do të mbërrinte deri në 40 gradë Celsius, ndërsa agjencitë gjermane sugjeronin se nxehtësia mund të kapërcente regjistrimet.

“Kjo situatë është e pashembullt për shkak se i nxehti po godet kaq herët, në qershor. Nuk e kemi parë këtë që nga viti 1947”, tha Emmanuel Demael, nga agjencia meteorologjike franceze.

Sipas kërkuesve të institutit të klimës në Potsdam, rekorde mujore nxehtësie po shënohen pesë herë më shpesh sot nëpër botë, sesa do të ndodhte në kushtet e një klime të qëndrueshme.

Top Channel