Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë pajisjen e Turqisë, me aeroplanët luftarakë F-35, nëse Ankaraja do të vazhdojë me blerjen e sistemit rus, të mbrojtjes raketore.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Turqisë të mos instalojë sistemin rus, pasi ai ka kapacitet të identifikojë aeroplanët amerikanë, të cilët janë të ndërtuar për të shmangur ndjekjen nga radarët e armikut, dhe sensorët e nxehtësisë, por vetë Turqia nuk tundet nga llogorja.

“Nuk kemi përse ti marrim leje askujt për të përmbushur nevojat tona të sigurisë”- tha Recep Tayip Erdogan, për blerjen e sistemit rus S-400.

“Për të përmbushur nevojat e saj të sigurisë, Turqia nuk ka përse të negociojë me asnjë vend, nuk ka përse të marrë leje dhe as të thyhet para presionit. Në dashtë zoti, dislokimi i S-400 do të fillojë muajin e ardhshëm”, tha në fjalën e tij Erdogan.

Por kjo, sipas SHBA do të ketë pasoja. Turqia është pjesë e vendeve që po angazhohen në prodhimin e aeroplanëve amerikanë F-35. Mirëpo, deri më tani, zyrtarët turq kanë refuzuar të heqin dorë nga blerja e sistemit mbrojtës rus raketor, duke thënë se do t’i bëjnë ballë edhe sanksioneve amerikane të cilat janë paralajmëruar nga zyrtarët e SHBA-së.

Top Channel