“Duke filluar nga Velipoja kemi 0 kontrata të lidhura për rojet e plazhit”. Kështu e nisi fjalen e tij ministri Klosi, i cili tha se çdo jetë e humbur në plazhe është përgjegjësi direkte e funksionarëve publike, pushtetit lokal, që ende sot nuk ka lidhur kontratat me operatorët turistike për ndarjen e plazheve publik-privat, për sigurimin e rojeve bregdetare dhe detyrimeve të tjera, që rrjedhin nga VKM për Stacionet e Plazhit.

“Task forca e drejtuar nga agjencia kombëtare e bregdetit së bashku me institutin e higjenës, agjencinë e Zonave të Mbrojtura dhe inspektorati i Turizmit do të kontrollojnë cdo pëllëmbë të plazhit, duke vendosur gjoba, duke kërkuar zbatimin e këtyre kontratave të cilat nuk zbatojnë vendimin e këshillit të ministrave dhe duke kërkuar qartazi jo vetëm operatorëve që kanë marrë për të kryer një biznes të caktuar por duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti edhe kryetarëve të bashkive. Është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë por që drejtpërsëdrejtë penalizon të gjithë ata funksionarë lokalë apo qendrorë të cilët nuk zbatojnë VKM-në. Jetë të humbura në plazh të cilat fatkeqësisht kanë ndodhur edhe në javën e kaluar janë akuzë e drejtpërdrejtë për të gjithë ne që kryejmë funksione shtetërore”, tha ministri Klosi.

Ai kërkoi nga kjo pikë e largët veriore dhe në çdo centimetër plazhi të vendit tonë zbatimin e kontratave me vrojtuesit e plazhit, të sigurojnë qetësinë dhe higjenën e kërkuar, të jetë i mirëadministurar nga punonjësit e Ministrisë se Shëndetësisë.

“Vitin e kaluar shënuam një rekord për uljen me trefish të numrit të jetëve të humbura në det. Ndërkohë që këtë vit, vetëm në pak ditë kemi mbi 5 jetë të humbura në plazhet tona. Pra, problematika është evidente dhe toleranca do të duhet të jetë 0. Jemi në fazën më të vështirë të fushatës së fillimit të sezonit turistik, e cila është ngatërruar edhe me problematikat e fushatës së zgjedhjeve. Vetëm në Shëngjin dhe Velipojë falë projektit të GIZ-it kemi 60 djem dhe vajza të trajnuara për plazhin e Shëngjinit dhe Velipojës. Është e pafalshme, e patolerueshme që djemtë shkojnë e gjejnë punë si vrojtues në Mal të Zi dhe largohen nga Shqipëria sepse në plazhet tona nuk i punëson njeri. I bëj thirrje të drejtpërdrejtë funksionarëve publikë që kanë detyrën e kontrollit, pushtetit lokal dhe po ashtu inspektoriatit të turizmit, agjencisë së Bregdetit të jenë gjatë gjithë kohës në terren për të vendosur një sistem të cilin vitin e kaluar e ndërtuam të gjithë së bashku dhe funksionoi në mënyrë të shkëlqyer”, tha ministri Klosi.

Top Channel