Gazetari Alban Dudushi, në analizën e bërë për 30 qershorin dhe se çfarë pritet të ndodhë ditën kur mazhoranca do të marrë pjesë në votimet për bashkitë, vlerëson se nuk do të ketë përplasje mes palëve.

Gjatë emisionit ‘Open’ në Top Channel, Dudushi theksoi se qëndrimet e fundit të presidentit Ilir Meta dhe kryeopozitarit Lulzim Basha janë nuanca që tregojnë se nuk do të ketë përplasje në 30 qershor.

“Janë rritur shpresat që ditën e diel do të bëhet procesi dhe nuk do të ketë përplasje. Duket sikur shpresat janë rritur në këtë drejtim. Të dielën do të ketë një proces zgjedhor. Zoti Basha tha se votime ka edhe në Korenë e Veriut, por nuk tha që do i bëjmë të pamundura këto votime si në Korenë e Veriut”, u shpreh Dudushi.

Zgjedhjet lokale të 30 qershorit u shfuqizuan nga Presidenti i Republikës, por ky dekret nuk është njohur nga mazhoranca socialiste, e cila e konsideron atë antikushtetues.

Top Channel