Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për çregjistrim nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ky vendim i Kolegjit lexohet si përgjigje indirekte kundër vendimit të Ilir Metës për të shfuqizuar 30 qershorin.

Partia e drejtuar nga Idajet Beqiri kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet dhe heqjen nga lista e votimit bazuar në dekretin e Metës, por Kolegji Zgjedhor nuk e pranoi si kërkesë, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vendimi u mor nga Artur Malaj, Shkëlqim Mustafa, Ridvan Hado, Tomorr Shkreli dhe Lindita Sinanaj. Tre prej gjyqtarëve votuan për rrëzimin e padisë dhe dy të tjerë votuan kundër.

Jashtë ambienteve të Kolegjit, kreu i PUK, Idajet Beqiri, i pyetur nëse pret që ky institucion të shprehet edhe mbi dekretin e Ilir Metës për të shfuqizuar 30 qershorin, tha: “Në fakt thelbi i padisë sonë, ky ishte, se çdo padi ka një shkak. Shkaku kryesor që ne ngritëm padinë ishte dekreti i presidentit. Vendimarrja jonë ishte juridike dhe politike.”

Gjatë seancës, Idajet Beqiri shpjegoi edhe arsyet e padisë së tij. Ai theksoi se është kapur në befasi nga vendimi i presidentit për të shfuqizuar 30 qershorin, pasi ishte i bindur se zgjedhjet do zhvilloheshin.

Gjithsesi, Beqiri theksoi se i është drejtuar me padi Kolegjit pasi KQZ refuzoi ta çregjistronte.

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Beqiri tha: “Ne nuk kishim pse të venim në Gjykatën Kushtetuese sepse për këtë problem e kishte dhënë verdiktin e saj, atëherë nuk na ngelte veprim tjetër veçse të kërkonim të tërhiqeshim nga zgjedhjet. Ne duam të mos marrim pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe PUK të hiqet nga fletët e votimit.”

“Kolegji Zgjedhor duhet ta zgjidhë këtë ngërç, KQZ nuk na ç’regjistroi , si shkak sjellim edhe botimin në Fletoren Zyrtare (të dekretit të presidentit). Ndaj kërkoj që këtë ngërç ta zgjidhni ju”, u shpreh kreu i PUK.

Diskutimet në seancë

Gjyqtari Artur Malaj: E çfarë natyre është dekreti i presidentit?

Juristi i KQZ: Është akt administrativ individual

Malaj: Pse?

Kreu i PUK, Idajet Beqiri: Akti i presidentit, pra çdekretimi i dekretit, sipas meje, është akt individual administrative. Ky akt indiviadual është thjesht për caktim date dhe nga kjo kornizë nuk del dot.

Malaj: A ka tjetër institucion që ka kompetencë të nxjerrë dekret për anulimin e zgjedhjeve?

Juristi: Jo, nuk e ka askush të shprehur ne ligj.

Malaj: Po për ndryshimin e datës së zgjedhjeve?

Juristi: Në 2017 është shtyrë data e zgjedhjeve me dekret të presidentit.

Gjyqtari Shkëlqim Mustafa: Po në 2007?

Juristi: S’kam dijeni.

Gjyqtarja Lindita Sinanaj: Cili është thelbi ligjor që ju detyroi juve të shpreheni mbi vlefshmërinë e pavlefshmërinë e këtij akti të presidentit?

Juristi: Duke qenë se subjekti erdhi tek ne…

Sinanaj: Pra mbi bazën e kësaj kerkesë shqyrtuat pavlefshmërinë e dekretit?

Juristi: Po

Top Channel