E vështirë të mos e tërheqë vëmendjen kur kalon në rrugë, me mjekrën e tij të gjatë e të kuruar, Mathieu Pugnier i ra në sy edhe jurisë së edicionit të tretë të kampionatit francez të mjekrës, ku fitoi çmimin e parë në kategorinë “mjekrat natyrale më pak se 20 cm të gjata”.

Gara që mblodhi meshkujt me mjekrat dhe mustaqet me të bukura në Francë u zhvillua në kryeqytetin e Parisit. 86 finalistë në 6 kategori shpalosen aty stilin dhe kreativitetin e tyre, në një paradë mjaft interesante të nxitur nga shpresa për të triumfuar në kategorinë përkatëse.

Në fazat e para, konkurrentët u seleksionuan në bazë të disa kritereve si pamja, dendësia, ngjyra e mjekrës, vitaliteti apo harmonia me morfologjinë e fytyrës, por edhe për stilin befasues.

Pugnier thotë se u regjistrua përpara tre muajsh në internet. Ky është viti i tretë që ai merrte pjesë në garën e veçantë, dhe më në fund, përpjekja, iu kurorëzua me sukses.

Frymëzimi i tij për stilin e përzgjedhur të mjekrës ishte Giuseppe Garibaldi, i konsideruar një prej etërve të Italisë së bashkuar, i cili e preferonte sidoqoftë një mjekër më të shkurtër, edhe pse të dendur.

Top Channel