Gjatë ditëve të fundit, Erion Veliajn, kandidatin e Partisë Socialiste për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës, e kemi ndjekur teksa prezanton projektet e reja gjatë takimeve me banorët.

Por pasditen e sotme, Veliaj ka marrë vetë në dorë timonin, dhe i shoqëruar nga Emiljano Lule, ka bërë një “guidë” ndryshe në Tiranë, duke përmendur edhe projektet më të rëndësishme për 4 vitet e ardhshme.

“Tani jemi tek Bulevardi Zogu I, ketu do bëjmë një ndërhyrje masive, pra duke filluar nga sheshi Skënderbej deri tek Bulevardi i Ri, ku do kthehet në një hapësirë komerciale. Të gjitha këto pllakat që vibrojnë do hiqen, ne do e kthejmë të gjithë në një hapësirë kryesisht të fokusuar tek dyqanet, fashion, restorantet.

Pra do kthejmë gjithë fasadat e pallateve. Trotuaret në krah do zgjerohen. Bulevardi i ri, në dallim nga shumë bulevarde të tjera në Shqipëri, ka më shumë hapësirë për këmbësorë, parqe lineare, makinat kanë dy korsi. Është një hapësirë me gjelbërim. Ndërkohë që, këtu do jetë një park qendror.

Pra, afërsia me një park qendror cilësor ia kthen vlerën zonës. Këtu do të jetë një stacion fundor, ku treni do sillet si tren elektrik në qytet. Jemi tek rruga e Durrësit, ku do ndërtohet një hotel i madh. Pasi ata që vijnë duan një vend ku t’i kenë gjërat afër”, tha Veliaj gjatë kësaj guide.

Gjatë bisedës me Emiljano Lule, Veliaj ka përmendur edhe investimet e bëra në rrugë, duke vendosur rampat, në funksion të personave me aftësi ndryshe dhe të nënave që lëvizin me karrocë. “Për njerëzit me aftësi ndryshe ka një ashensor. Pra nga sheshi Skënderbej, kalon direkt në ashensor”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë përmendi edhe nismën e mbjelljes së pemëve, e cila i ka shtuar gjelbërimin Tiranës.

Top Channel