Teksa opozita jashtëparlamentare këtë të premte del për të nëntën here në protestë kombëtare duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama, Sekretari i Grupit Parlamentar të PS-së, Ervin Bushati e cilëson PD si një parti guerilase.

“Opozita e sheh që nuk fiton dot me votë. Një person që po përpiqet që të mbajë karrigen e kreut të opozitës me zor, se kryeministër nuk bëhet dot. Ai thjesht po ruan pozicionin e tij në PD. E për këtë organizon protesta që po kthehen në të dhunshme”, u shpreh Bushati .

Sipas Bushatit përgjimet e publikuara nga Bild janë thjesht justifikim për protesta, pasi siç tha ai opozita mund të gjejë arsye nga më të ndryshmet për të protestuar.

“Po djegin Shqipërinë për një karrige. Ata mund të gjenin çdo justifikim. Mund të thonin edhe pse ka zjarre në pyll do dalim në protesta”, u shpreh ai, duke shtuar se: “Basha ka kundër të gjithë ndërkombëtarët, vetëm rusët nuk janë shprehur”.

Më tej ai tha: “Opozita është e ekstremizuar. Ato që janë sot forca të ekstremizuara në Evropë çfarë bëjnë: Hedhin molotov, nuk kanë logjikë. Nuk pranojnë asnjë lloj sistemi. Nuk hyjnë në zgjedhje. Më vjen keq, pasi një kapital politik siç ishte PD-ja, ndoshta ka vajtuar në atë sistemin gurilas të LSI”.

Top Channel