A po kthehet Shqipëria në një burg gjigant? Ja si përgjigjet Ervin Bushati në “Top Talk”

21/06/2019 16:18

I ftuar në studion e Top Talk këtë të premte ka qenë Ervin Bushati, Sekretari i Grupit Parlamentar të PS-së, i cili ka propozuar një amendament penal që parashikon se çdo individ që cenon ose pengon procesin zgjedhor t’i ndalohet të dalë jashtë vendit për 5-10 vjet.

Kjo masë ndëshkimore vjen pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale më 30 qershor, të anuluara me dekret nga Presidenti i Republikës, një dekret që KQZ nuk e njeh dhe që ka vijuar me përgatitjen e procesit zgjedhor.

Lidhur me amendamentin që ka propozuar për ndryshime në Kodin Penal, Ervin Bushati u shpreh se kjo është një masë që në shumë vende përdoret për çështje të ndryshme.

“Një qytetar apo një grup i organizuar mendon që mund të pengojë procesin zgjedhor është gabim dhe për këtë ka pasoja”, u shpreh Bushati.

I pyetur se: A duket sikur po krijohet një klimë represive, me masa ndëshkuese, rritje e ashpërsimit ligjor, ku fjala burg po përmendet më shumë? A mos rrëshqasim ngadalë nga demokraci, në një regjim?

Bushati u përgjigj: “Disa forca politike jo parlamentare po përpiqen të pengojnë procese jo vetëm integruese dhe të zhvillimit social, por po mbajnë peng ekonominë dhe jetën sociale të Shqipërisë dhe fjala kyç këtu është dhuna. Asgjë nuk e justifikon dhunën. Këtë e kanë thënë të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Duke marrë parasysh numrin e lartë të personave të shoqëruar për dhunë në protesta, Bushati theksoi se kjo është pasoja dhe jo shkaku.

I pyetur drejtpërdrejtë nëse po kthehet Shqipëria në një burg të madh, për shkak të arrestimeve të shumta? Bushati u përgjigj: Pyetjen po ia bën personit të gabuar, nuk jam nga ata që iniciojnë dhunën. Di të them që nëse dikush vjedh një biletë në autobus, një portofol, apo thyen një xham në shkollë dënohen njësoj. Jemi të gjithë njësoj”.

Top Channel