Kryebashkiaku i Devollit, Bledion Nallbati në një deklaratë për mediat ka akuzuar Policinë se ka ushtruar terror ndaj familjarëve të tij. Ai ka theksuar se policia i ka arrestuar të vëllain në orën 03:00, duke shqetësuar të gjithë familjarët.

Sipas Nallbatit, qëllimi i këtij arrestimi është intimidimi në punën si kryebashkiak i Devollit.

“Policia nuk na tremb as nuk na intimidon. Zgjedhje në Devoll nuk do të ketë ashtu sikurse nuk do të ketë në të gjithë Shqipërinë. Zbatoj Dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve”, deklaroi Nallbati.

Deklarata e plotë

Kryetari i Bashkisë së Devollit , Bledion Nallbati ka denoncuar aktin e papreçedentë të policisë së shtetit, FNSH-së dhe strukturave të tjera policore, të cilët kanë terrorizuar disa familje në Devoll, duke përfshirë edhe familjen e kryetarit të Bashkisë Devoll, Bledion Nallbati.

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme nëpërmjet një skenari mafioz këto struktura kanë terrorizuar disa familje në Devoll. Duke përfshirë edhe familjen e kryetarit të Bashkisë Devoll. Në orën 3 të mëngjesit të sotëm është shoqëruar nën presionin dhe agresionit policor, vëllai im me pretendimin se ka kërcënuar një nga katër kandidatët që garojnë në fushatën elektorale për postin e kryetarit të Bashkisë, ndërkohë që ka qenë jashtë qarkut të Korçës. Unë nuk jam në këtë fushatë elektorale, nuk bëj pjesë, nuk jam n ë këto zgjedhje farsë kandidat për asnjë lloj posti dhe për këtë arsye nuk kam asnjë lloj konflikti personal jo e jo, por as politik me asnjë prej tyre. Referuar Dekretit të Presidentit të Republikës, botuar në fletoren zyrtare zgjedhje në Devoll nuk ka, as në Devoll dhe as në të gjithë Shqipërinë, tha kryetari i Bashkisë së Devollit.

Në deklaratën e tij për media Nallbati theksoi se Devolli ndodhet nën një terror policor.

“Qyteti është i rrethuar me forca të shumta të policisë së shtetit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, forca të Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë, forca mbështetëse nga të gjitha komisariatet e policisë së qarkut të Korçës. E gjithë kjo situatë ka për qëllim intimidimin e qytetarëve të Devollit nëpërmjet terrorit policor në mënyrë që të mbyllin gojën dhe të shtypin revoltën e krijuar në popull ndaj kësaj qeverie për fatkeqësitë që i ka sjellë. Shaktërrimin e ekonomisë, papunësisë, mungesën e investimeve, braktisjen totale të bujqësisë, korrupsionin e babëzitur që ka zaptuar çdo institucion shtetëror”, tha Nallbati.

Ai shtoi se Zv/drejtori i Polcisë së Qarkut Alfred Numani së bashku me shefin e Komisariatit të Bashkisë Devoll Ardjan Fejzollari dhe një sërë drejtuesish të tjerë të policisë së shtetit kanë ushtruar presion ndaj vëllait të tij për të pranuar këtë inskenim me të vetmin qëllim për intimidimin e tij në mënyrë që të tërhiqet nga qëndrimi im zyrtar në zbatim të ligjit, në zbatim të dekretit të Presidentit, për anulimin e datës së zgjedhjeve.

“Kjo qeveri dhe kjo polici ka vendosur që me burg dhe me kërbaç t’ju imponojë qytetarëve të Devollit një farsë zgjedhore. Këta drejtues policie që janë nën ta apo nën ta duhet ta kuptojnë qartë, që po shkelin me të dyja këmbët ligjin dhe për këtë do të përgjigjen përpara tij poa asnjë diskutim. Jam i vendosur të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe për këtë nuk më tremb askush”, reagoi kryetari i Bashkisë së Devollit.

Top Channel