Irsa Ruçi, drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë, pjesë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, zhvilloi sot një takim zyrtar me drejtorin e Rinisë, Feim Hoxha, dhe stafin përgjegjës për çështjet rinore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Takimi u mbajt në kuadër të dakordësimit për zbatimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në fushën e Rinisë, prezantuar në mbledhjen e pestë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, mbajtur në nëntor të vitit 2018.

Në këtë tryezë u diskutua për sfidat e përbashkëta mes dy vendeve tona sa i takon politikave rinore, dhe u përcaktua një kalendar i përbashkët aktivitetesh që do ndiqen ndërmjet institucioneve që përfaqësojnë çështjet rinore të dy qeverive, deri në fund të vitit 2019 -të.

Rezultatet e këtij takimi vëllazëror do konkludohen nëpërmjet firmosjes së një marrëveshjeje të përbashkët koordinimi të aktiviteteve, që do të përfshijnë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.

“Është hera e parë që qeveria e Kosovës ka një fond të posaçëm rinor për punësimin”, u shpreh drejtori i Rinisë, Hoxha.

Ruçi u shpreh se qeveria e Shqipërisë i ka dhënë prioritet politikave zhvillimore në fushën e rinisë, duke e kthyer vëmendjen tek punësimi i të rinjve dhe përfshirja e tyre në jetën politike e shoqëore.

Ruçi shprehu gadishmërinë maksimale të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë për të ndjekur me përpikmëri kalendarin e përbashkët të aktiviteteve mes dy vendeve tona; dhe të njëjtën vendosmëri shprehu edhe znj. Morina, këshilltare e Ministrit Gashi.

Në fund të takimit, stafi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës i dhuroi  “Okarinën Ilire” Ruçit, një simbolikë që Ministria ua dhuron personaliteteve me të cilët bashkëpunon.

Top Channel