Shtëpia e Bardhë vendosi ta zgjasë me një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001.

Në një deklaratë të lëshuar me këtë rast kujtohet se presidenca amerikane e shpalli në atë vit emergjencën kombëtare lidhur me këtë rajon, për të trajtuar, siç thuhet, kërcënimin e pazakontë ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të SHBA-së, që vjen nga veprimet e personave të angazhuar, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë apo mbështesin dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë, e cila sot njihet si Maqedoni e Veriut.

“Kjo gjendje e emergjencës kombëtare,-thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë,- do të trajtonte edhe kërcënimin që sjellin veprimet e atyre që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë ose Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën”.

Presidenti amerikan e ndryshoi këtë urdhër në vitin 2003, për hedhjen e hapave shtese  “lidhur me aktet që pengonin zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001”.”Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, vazhdojnë të përbëjnë kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Për këtë arsye, emergjenca kombëtare, duhet të mbetet në fuqi përtej 26 qershorit, 2019”, theksohet në deklaratë. Në  bazë të këtij arsyetimi, janë hartuar lista te zeza politikanesh të cilëve iu është ndaluar udhëtimi në SHBA e u është ngrirë pasuria që mund të kenë pasur atje.

Top Channel