Gjatë ditës së sotme në KZAZ-në numër 26 në Vorë, situata është paraqitur e qetë. Burime për Top Channel thanë se një grup protestuesish ishin nisur nga qyteti i Vorës në këtë KZAZ, por më pas janë kthyer në gjysmë të rrugës.

Megjithatë, forcat e policisë vazhdojnë të ruajnë këtë KZAZ, me qëllim shmangien e ndonjë përplasjeje të mundshme që mund të ndodh mes tyre dhe protestuesve që prej disa ditësh kërkojnë lirimin e ambienteve të KZAZ-së nga materialet zgjedhore.

Të mërkurën në këtë KZAZ pati momente tensionimi dhe debate mes protestuesve dhe policisë.

Edhe në KZAZ-në numër 27 pranë shkollës Ibrahim Rugova në Kamëz, situate është paraqitur e qetë.

Edhe këtu, forca të shumta të policisë qëndrojnë pranë ambienteve të shkollës, të cilët e kanë marrë këtë KZAZ në ruajtje prej disa ditësh.

Protestuesit të mërkurën, tentuan të hynin në KZAZ-në e Kamzës me dhunë, duke dëmtuar portën kryesore të rrethimit.

Situata ka qenë e qetë edhe në disa KZAZ të tjera në vend, të cilat gjatë së mërkurës kanë qenë të pushtuara me debate, tensione e dhunë.

Top Channel