I vunë flakën shkollës “Shejnza Juka”, e cila shërben si KZAZ nr 3., në Shkodër, policia arreston 5 persona, dy prej të cilëve janë punonjës Bashkie. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dyshohet se militantë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të Bashkisë Shkodër, dogjën materialet  që do të përdoreshin në zgjedhjet e 30 qershorit për procesin zgjedhor.

Për shuarjen e flakëve është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës. Përplasja mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit kanë zgjatur disa minuta, ndërkohë që pas përplasje mbështetësit e PD-së u larguan drejt Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, ku ndodhej KZAZ numër 2.

Mëngjesin e sotëm, policia publikoi emrat e të arrestuarve. Në dhomat e paraburgimit janë shtetasit Adi Garuci, Aleks Ndoj, Alfred Nikolli, Gentjan Bytyçi. ndërkohë që në paraburgim po dërgohet edhe Orlando Thepi. Burimet zyrtare të policisë njoftojnë se  Alfred Nikolli dhe Gentjan Bytyçi janë policë bashkiak.

Incidente janë shënuar edhe në Tropojë, ku disa shtetas kanë dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ Nr., tek Muzeu Historik.  Burimet policore raportojnë se kanë arrestuar në flagrancë 7 persona, konkretisht; A.G., 31 vjeç, banues në Bajram Curr; I.M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë; N.N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë; H.Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë; B.P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë, A.G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë;  A.G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Policia njofton ndër të tjera se janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë. Ndaj personave të lartpërmendur rëndojnë disa akuza, si; “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Tropojë.

Top Channel