Shtyhet seanca gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili doli sot para gjyqit me disa akuza ndër të cilat, për trafik lëndësh narkotike. Seanca e radhës do të bëhet më 3 korrik. Shkak për shtyrjen e procesit gjyqësor është bërë mungesa në sallë e ish tre zyrtarëve të policisë së Vlorës; Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila.

Gjykata tha se duhet të rinjoftohen edhe njëherë tre personat e lartpërmendur, pasi nuk kanë marrë dijeni për nisjen e procesit, por ndërkohë Jaeld Çela kishte lëshuar në datën 17 qershor një prokurë që thoshte që ishte dakord të përfarohej në mungesë nga avokati i tij.

Shtyrja e procesit gjyqësor nuk i ka pëlqyer Saimir Tahirit, i cili tha se kjo po bëhet  qëllimisht dhe se ka persona që nuk janë të interesuar për drejtësi. Tahiri i kërkoi Gjykatës që proceset të bëhen çdo ditë, që kjo të marrë fund.

“Nuk duhet të ketë vonesa në procesin gjyqësor. Procesi duhet të shkojë përpara, pa humbur kohë, se boll kohë kemi humbur deri më sot! Të kërkosh gjykim të shkurtuar nuk do të thotë që të pranosh fajësinë.

Nuk ka nevojë të zgjatet asnjë seancë më shumë. Nuk ka nevojë që të zvarritet ky gjyq. Ndoshta ka shumë që nuk janë të interesuar për drejtësi, unë jam i interesuar për drejtësi  dhe do të vazhdoj. Gjykata t’i bëjë seancat ditë për ditë! U bënë dy vjet që zvarritet e zvarritet kjo histori. Nuk e kuptoj pse, por kam dyshimet e mia që ky proces po zvarritet për arsye politike. Ky proces nisi në Itali, me përgjimet e Italisë dhe më pas erdhi në Shqipëri. Jam hetuar në Itali, ndërkohë që ata e dhanë verdiktin e tyre duke thënë se Saimir Tahiri nuk ka asnjë lidhje me këtë histori. Nuk e di se pse vazhdon akoma kjo histori. Ju ftoj që të vini dhe të shihni dosjen”, tha Tahiri.

Nga Gjykata e Krimeve të Rënda, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha u shpreh se  nën akuzë përveç ish-ministrit janë edhe tre ish-zyrtarë policie në Vlorë; Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, të cilët  janë në arrati  pas shpalljes në kërkim që i bëri Prokuroria e Krimeve të Rënda. Pavarësisht kësaj, tre ish-zyrtarët e policisë po hetohen nën masën e ‘arrestit në burg, në mungesë’.

Në seancën paraprake, Saimir Tahiri ka kërkuar që procesi të bëhet me kohë të shkurtuar, gjë që nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.

Nëse kjo kërkesë e tij pranohet, procesi mbyllet me 3 seanca: një për Prokurorinë që shpall pretencën; një për avokatët që bëjnë mbrojtjen; dhe e fundit për gjykatën që shpall vendimin; duke eliminuar kështu debatin gjyqësor.

“Nëse Gjykata pranon kërkesën e ish-ministrit për gjykim të shkruar, do të ketë një proces mjaft të shkurtër dhe pas 3 seancash do të ketë edhe një vendim. Nëse ka refuzim, do ketë një odise gjyqësore, për sa kohë që kjo dosja e tij ka 53 fashikuj”, tha gazetarja Anila Hoxha.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel