Pushtohet KZAZ në Burrel, mbështetësit e opozitës djegin materialet zgjedhore

19/06/2019 12:42

Me dhjetëra simpatizantë të opozitës kanë hyrë brenda ambienteve të Pallatit të sportit “Ferit Hysa”, duke nxjerrë nga aty materialet zgjedhore dhe më pas i kanë vënë flakën.

Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, bashkia e Matit ka ndërhyrë me policinë bashkiake dhe punonjësit e ndërmarrjes se shërbimeve per të liruar ambientet e pallatit të sportit “Ferit Hysa” ku ishte vendosur KZAZ 16.

Në mbështetje të tyre shkuan edhe qindra simpatizant të Partisë Demokratike, të cilët rreth orës 10 e 30 minuta nisen të thyenin derën e pallatit të sportit.

Fillimisht pati përplasje verbale mes protestuesve dhe policisë ndërsa më pas situata agravoi në përdorimin e dhunës. Protestuesit u përleshen me policinë e cila fillimisht përdori shkopat e gomës e me pas gaz lotsjellës e sprajt.

Turma u shpërnda për disa herë, por nuk u largua nga aty derisa më në fund arritën të shpërthenin derën, duke hyrë brenda ambientëve të pallatit të sportit.

Materialet u nxorën jashtë nga protestuesit dhe ju vendosën flakën.

Më pas protestuesit u shpërndanë ndërsa policia e rendit rrethoi vendin për të marrë provat.

Nga përplasjet mes policisë dhe protestuesve njëri nga këta të fundit mbeti i plagosur rëndë dhe mësohet se është dërguar për Tiranë. Edhe në Bashkinë Klos pas konfliktit me policinë u thyen kompjurerat dhe u digjen materialet zgjedhore.

Në moment është hedhur edhe gazi lotsjellës, por kjo nuk i ka ndalur protestuesit që hyjnë brenda ambienteve dhe të rrëmbejnë materialet zgjedhor, e për t’i djegur më pas jashtë ato.

Top Channel