Është paraqitur mesditën e sotme në Prokurorinë e Tiranës edhe financieri i Partisë Demokratike, Ilir Dervishi. Ai është njohur me akuzat e pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumentave nga tre prokurorët e dosjes Gjergji Tako, Kol Hysenaj dhe Ervin Karanxha.

Dervishi është një nga të pandehurit për çështjen e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike.

Sot në organin e akuzës u paraqit edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha, i cili e konsideroi çështjen si të montuar në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se marrja e tij në pyetje është një përpjekje e Qeverisë për të shpërqendruar opinionin publik nga skandalet e dosjes 339 dhe 184.

Ditën e djeshme ishte Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, që u paraqit para prokurorëve. Atij iu komunikuan të njëjtat akuza si ato që rëndojnë ndaj Bashës dhe Dervishit.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane ‘Muzin Capitol Partners’,  plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Top Channel