Parada e kampionëve/ Një milionë persona në rrugët e Torontos për fitoren e NBA

18/06/2019 10:38

Përpara pak ditëve skuadra e Toronto Raptors bëri historinë teksa fitoi për herë të parë në histori titullin në kampionatin më spektakolar në botë, NBA pasi mundi në finale një skuadër yjesh si Golden State Warriors.

Pas këtij suksesi skuadra kampione zhvilloi festën e saj teksa mbajti paradën tradicionale në rrugët e qytetit. Mësohet se rreth 1 milionë persona vërshuan në rrugët e Torontos për t’u bashkuar me basketbollistët e kësaj skuadre që kurorëzuan me sukses një sezon të jashtëzakonshëm.

Padyshim nuk mund të mungonte në këtë festë rapperi i famshëm, Drake që është edhe një tifoz i flaktë i “Toronto Raptors” si dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau që nuk e fshehën aspak entuziazmin e tyre. Ndërkaq, lojtarët e Raptors të veshur me T-shirt, me syze dielli dhe cigare në dorë ishin në autobusin e tyre të hapur duke parë tifozët e shumtë që i shoqëronin ata në Lake Shore Boulevard dhe York Street.

Por nuk ishte e thënë që kjo festë e Torontos për këtë arritje historike të zhvillohej pa probleme. Caste paniku mbërthyen të pranishmit teksa të shtëna me armë u dëgjuan në Sheshin Nathan Phillips.

Sipas të dhënave të para të policisë nga të shtënat 2 persona kanë mbetur të plagosur rëndë, por janë jashtë rrezikut për jetën. Po kështu policia në Toronto arrestoi edhe 2 persona si dhe sekuestroi 2 armë zjarri.

Top Channel