Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj në një deklaratë për mediat ka folur për shtyrjen e vendimit nga KE dhe presidenca rumune e BE për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai thotë se ishte mungesa e kohës për vendimmarrje dhe jo mospërmbushja e kritereve nga Shqipëria shkaku për shtyrjen e vendimit të negociatave.

“Sot Këshilli i çështjeve të përgjithshme në Luksemburg ka marrë vendim për shtyrjen e e vendimit dhe hapjen e negociatave për një moment tjetër por jo më larg se tetori. Kjo shtyrje është motivuar vetëm nga mungesa e kohës se mjaftueshme për procedurat e tyre të brendshme”, tha ai.

Cakaj më tej tha se shtyrja e vendim-marrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë, pasi në gjykimin e tij vendi e kishte merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar.

“Shtyrja e vendim marrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Shqipëria ka merituar hapjen e negociatave që vitin e shkuar por sidoqoftë që vitin e shkuar Shqipëria ka filluar procesin e screen-it. Që nga viti i shkuar Shqipëria nuk ka humbur asnjë moment në axhendën e saj. Sot më shumë se kurrë në këtë periudhë, përpjekjet tona duhet të shtohen që të sigurojmë një vendim pozitiv në tetor. Shtyrja e vendimmarrjes nuk është as shkas për sjellje të matura politike por as të përkthehet në rënie të energjive reformatore. Shqipëria duhet të vazhdojë në këtë rrugë me përpjekje”, tha Cakaj.

Top Channel