Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat mbrëmjen e kësaj të hëne, u shpreh se çdo njeri e ka kuptuar se kryeministri Rama ka ardhur në pushtet përmes bashkëpunimit me krimin.

“Sot, që çdo njeri e ka kuptuar se Edi Rama ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur pushtetin përmes bashkëpunimit me krimin për të blerë, frikësuar, dhunuar dhe ndëshkuar qytetarët, me qëllim manipulimin e votës, pikërisht sot, unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne”- tha Basha.

Për Bashën, fajtor për gjendjen ku vendi ndodhet, është kryeministri Rama.

“Edi Rama është fajtori kryesor për gjendjen ku ne ndodhemi.Ai është dhe do të shënohet në historinë tonë si një figurë thellësisht kriminale.Historia nuk blihet me para dhe Edi Rama nuk e blen dot historinë as me paratë e gjithë drogës dhe të krimit të botës”- tha lideri i PD-së”.

Kryedemokrati, ritheksoi edhe njëherë, se opozita nuk do të tërhiqet, pa largimin e kryeministrit.

“Pa largimin e Edi Ramës dhe të klikës kriminale që është sot në pushtet nuk do të ketë asnjë hap përpara.Pa nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që nën drejtimin e Edi Ramës frikësuan, kërcënuan, dhunuan, vodhën dhe blenë votën e shqiptarëve nuk do ketë asnjë përparim.Unë dhe demokratët nuk mund të tërhiqemi dhe nuk do të tërhiqemi kurrë nga këto dy objektiva çliruese për Shqipërinë”- tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike, ju ka bërë edhe njëhërë ftesë qytetarëve për t’ju bashkuar protestës së të premtes.

Top Channel