Sot në të gjithë vendin, maturantët i janë nënshtruar provimit të matematikës. Duket se stresi i provimeve nuk ka kaluar pa pasoja tek të rinjtë. Në provimin e parë, në atë të letërsisë, mediat raportuan që një nxënëseje i ra të fikët gjatë pritjes për të hyrë në provim, çka tregon që stresi ka qenë tepër i madh.

Aktualisht në SHBA studentët e kolegjit “La Guardia” në Nju Jork, të cilët studiojnë për arte janë rebeluar dhe kanë dalë në protestë për të hequr lëndën e matematikës nga kurrikulat. Sipas tyre studimi i matematikës u merr shumë kohë, i lodh dhe i streson.

Ata shprehen se matematika është një lëndë që atyre nuk u vlen dhe nuk u hyn fare në xhep në të ardhmen.

Të rinjtë në SHBA duhet të ndjekin lëndën e matematikës derisa të përfundojnë kolegjin. Por duket se kjo është një ngarkesë për studentët në degë të ndryshme të cilët nuk kanë lidhje fare me lëndën e matematikës. Profesori i shkencave politike në “Queens College”, Andrew Hacker, në librin e tij “The Math Myth” shkruan se: “Ka rreth 7% të qenieve njerëzore që kanë një lloj aftësie natyrore për matematikën, për pjesën tjetër, matematika është thjesht torturë”.

Statistikat tregojnë se 1 në 5 nxënës në SHBA e braktisin shkollën e mesme para se të marrin diplomën për shkak të lëndës së matematikës.

Matematika dihet që është provimi më i vështirë, për pjesën më të madhe pasi si një lëndë ekzakte, nuk të lejon të bësh gabime dhe ndoshta ky është dhe stresi dhe presioni i madh që kanë të rinjtë.

Top Channel