Të drejtosh mjetin në gjendje të dehur mund të ketë pasoja të rënda, deri në vdekje. Por vitet e fundit, shoferët në vendin tonë kanë shfaqur tendenca ndërgjegjësimi.

Aksidentet rrugore të shkaktuara nga drejtuesit e mjetit nën efektin e alkoolit, vitet e fundit kanë pasur rënie. Të dhënat për vitin 2018, flasin për 77 aksidente me pasojë 3 të vrarë.

Gjysma e parë e këtij viti ka regjistruar 15 aksidente të shkaktuara nga drejtuesit e mjeteve në gjendje të dehur, me vetëm 1 person të vdekur.

Rënie ka pasur edhe viti 2018 krahasuar me 2014, me 37% më pak aksidente të shkaktuara nga përdorimi i alkoolit. Numri në rënie i këtyre aksidenteve, ka sjellë për pasojë më pak të vdekur dhe të plagosur.

Të dhënat e vëna në dispozicion nga Policia e Shtetit, tregojnë se 2018-a ka pasur rreth 87% më pak të vdekur krahasuar me 2014.

Të dhënat e paraqitura nga grafik, tregojnë edhe për numrin në rënie të të plagosurve lehtë, pavarësisht se ky numër është më I lartë se ai I atyrë të plagosur rëndë.

Drejtuesit e mjeteve në gjendje të dehur, nuk i kanë shpëtuar ndëshkimit të policisë. 5713 vepra penale janë regjistruar vitin e kaluar për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas INSTAT viti i kaluar ka 433 vepra penale me shumë se në vitin 2015.

Rënia e numrit të aksidenteve, të shkaktuara nga shoferët që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, është edhe për pasojë e masave që policia ka ndërmarrë për kontrolle, vendosje gjobash, por edhe ndëshkim me burg.

Po sipas INSTAT, edhe numri i personave të proceduar penalisht gjatë 2018-s për shkeljen e rregullave të qarkullimi rrugor, është rritur me 11% krahasuar me 2015-ën.

Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur është një nga shkaktarët kryesor të aksidenteve, dhe sidomos kur kjo kombinohet edhe me ecje me shpejtësi në rrugë.

Top Channel