Pushimi i fundjavës në këto ditë të nxehta vere i drejton njerëzit jo vetëm drejt bregdetit. Zgjedhja e kryeqytetasve është dhe Parku Kombëtar i Dajtit.

Freski, larg zhurmës por pa lënë pas dhe aventurën.

“Mua më pëlqen më shumë të pushoj në mal, sepse ka freski ngaqë tani është shumë vapë. Erdha për të bërë këto 4 sfidat dhe i mbarova me sukses”- thotë një pushues.

“Mendoj se mali është më mirë për të pushuar se është freski për temperaturat e larta, plus që edhe i largohesh asaj zhurmës së njerëzve”- thotë një tjetër pushues.

Për të huajt, gjithashtu, parqet janë vendet e duhura për të larguar lodhjen e javës.

“Është vërtet shumë mirë. Në fillim ajo rruga mes pemëve për të ardhur në Parkun e Aventurave, dhe ja ku jam tani rrethuar me njerëz të bukur që të mësojnë se si të luash dhe po do veçoja këtë këtu, pak e rrezikshme por shumë e bukur”- thotë një turist Indian.

Pikniku është mënyra më e mirë për disa pushues për të kaluar kohën e lirë. Jo në restorante, po duke shijuar ushqimin e gatuar vetë prej tyre në natyrë.

Një mundësi tjetër që u ofrohet njerëzve që zgjedhin për të pushuar në Malin e Dajtit është edhe shëtitja me kuaj.

Top Channel