Në një kohë kur kryeministri Edi Rama, vijon fushatën elektorale, nga selia blu kryedemokrati Lulzim Basha i dërgoi një mesazh përmes një deklarate shpërndarë nga zyra e shtypit.

“Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik e duke kërcënuar sa me djegie të vendit dhe sa me burgosje të të gjithë opozitës. Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet. Këto muaj e fundit Rama ka ndaluar dhe arrestuar qindra qytetarë dhe opozitarë, së fundi drejtuesit e PD së Elbasanit dhe Librazhdit, dhe të gjithë e kanë parë se askush nuk trembet nga kërcënimet dhe veprimet e tij perverse”, tha Basha.

Kreu i PD Lulzim Basha e komenton fushatën elektorale të kryeministrit si një ecje në një territor armik dhe jo vendor të tij.

“Fundi i tij dhe i veglave të tij qorre në kuvend, qeveri, polici, prokurori është i pashmangshëm. Ai e di këtë, prandaj është shpërfytyruar dhe po bën atë që bëjnë kriminelët kur rrethohen: po kërcënon se do të shpërthejë bombën e do t’i hedhë të gjithë në erë. Dua t’u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi se duhet të jenë të sigurt, asgjë e keqe nuk do të ndodhë”.

Edi Rama do të ikë thotë Lulzim Basha dhe të vetmit që do të marrë me vete do të jenë mercenarët e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Top Channel