Argjentina zhgënjen në debutimin e saj në këtë edicion të Copa America. Skuadra argjentinase humbi ndaj Kolumbisë në sfidën e saj të parë të kompeticionit me rezultatin 2-0, në një ndeshje ku skuadra e drejtuar nga Carlos Queiroz ishte dominuese sidomos në aspektin fizik të lojës.

Futbollistët kolumbianë i kishin marrë mirë masat dhe mbyllën çdo hapësirë ndaj argjentinasve e sidomos Lionel Messit. Pjesa  e parë u mbyll me rezultatin 0-0 me Argjentinën që e pati të pamundur të çajë mbrojtjen kolumbiane, ndërkohë që në krahun tjetër Kolumbia bëri disa gjuajtje në drejtim të portës së Armanit që përfunduan jashtë.

Në pjesën e dytë Argjentina u duk më e gjallë në lojën e saj dhe po kërkonte më shumë portën e Ospinës që bëri dy ndërhyrje të mira. Pikërisht në momentin më të mirë të argjentinasve, Kolumbia shënoi golin e avantazhit me Roger Martinez. Kur kishin mbetur 3 minuta nga fundi, Duvan Zapata pas një kundërsulmi të shpejtë shënoi edhe golin e dytë për Kolumbinë që i dha kështu një goditje të fortë Argjentinës në këtë fillim të Copa America.

Nuk pati fitues në sfidën mes Venezuelës dhe Perusë e vlefshme për Grupin A ku është edhe Brazili. Sfida mes këtyre dy skuadrave përfundoi me barazimin 0-0 me Perunë që pa t’i anuloheshin 2 gola, njëri prej të cilëve nga sistemi VAR, ndërkohë që humbi edhe shumë raste të tjera për shënim. Për  t’u theksuar është se Venezuela e mbylli sfidën me 10 futbollistë pasi Mago u ndëshkua me karton të kuq.

Top Channel