Gropat ndotëse të Bankers; Nafta ndot tokën ujin dhe ajrin. Asnjë masë izolimi

15/06/2019 12:15

Në këto vendgrumbullime të naftës nuk ka asgjë ekologjike. Ato janë vatrat me ndotëse të tokës, ujit dhe ajrit në zonën e puseve të naftës në Fier.

Trajtimi aspak ekologjik që bën Kompania Bankers në Zharrëz, Marinzë dhe Kallëm, ka bërë që të shtohen rastet e të sëmurëve nga karboni në gjak apo patologji të tjera. Shkaktare janë gropat me naftë.

Këto gropa ndotëse bankës i ka rrethuar me tel dhe i ruan edhe me kamera, por nuk është kujdesur për izolimin e tyre për të penguar përhapjen e ndotjes.

Një nga këto gropa, është e ndërtuar fare pranë shtëpive të banorëve të Kallmit, të cilët janë të detyruar të jetojnë në kushtet që kompania u ka ofruar, me mbetje nafte dhe sere.

Bankers, nuk shqetësohet për ndotjen që shkakton, por për të penguar median që të tregojë se si janë shkelur ligjet baze për mbrojtjen e mjedisit.

Grupi ynë i xhirimit u ndalua dy herë nga forcat e sigurisë së Bankers që të kryejë filmime në gropat ekologjike, me pretendimin se filmimet lejohen vetëm nga rruga kryesore dhe jo në pronat Bankers, në fakt kjo është një pronë e shqiptarëve të cilën Bankers ka marrë një kontratë koncesionare për të nxjerrë naftën nga nëntoka, por jo për ta ndotur tokën që do mbetet këtu edhe pas përfundimit të kësaj kontrate.

Sikur të mos mjaftonte ky fakt, grupi i Top Channel është ndjekur nga mjetet e sigurisë së bankers përgjatë gjithë ditës.

Këto janë disa makina të tjera të sigurisë së Bankers.

Në një kohë kur medias i ndalohet nga kompania që të kryejë xhirime, për banorët e këtyre fshatrave është pothuajse të pamundur që të dalin kundër vullnetit të Bankers për ndotjen e shkaktuar.

Top Channel