E ardhmja Golden State, ende me Durant e Thompson!

15/06/2019 13:04

Drejtuesit e Golden State kanë kaluar shumë telashe në 5 ditët e fundit për të pasur ide të qarta në lidhje me të ardhmen e skuadrës kaliforninane.

Bob Myers që është në rolin e Menaxherit të Përgjithshëm të Golden State ka folur për këtë çështje pas ndeshjes së 6 në finalen e madhe të NBA me Golden State që u dorëzua përballë Torontos.

Në të vërtetë prej javësh diskutohet çështja e qëndrimit apo jo në skuadrën kaliforniane të Kevin Durant dhe Klay Thompson dy prej basketbollistëve më të rëndësishëm të Golden State, por që rezultuan të pafat në momentin kyç të sezonit për skuadrën e tyre teksa pësuan dëmtime. Megjithatë Bob Myers është i vendosur që të mbajë të dy lojtarët te Golden State pavarësisht gjithçkaje.

‘Kevin dhe Klay i kemi shumë në konsideratë-tha Bob Mayers-nuk do të isha një menaxher i mirë nëse nuk do të isha i ndërgjegjshëm për peshën që ata kanë në skuadër. Me Kevin Durant kemi fituar 8 nga 9 ndeshjet në Finalen e madhe. Kurse Klay Thompson është thjesht fantastik. Edhe në aspektin njerëzor ata janë persona që çdo kush do t’i donte në skuadrën e tij. meritojnë të kompesohen në mënyrë të drejtë’

Për Thompson nuk ka pasur kurrë dyshime në të vërtetë, pasi ai do të qëndrojë te Warriors, ndoshta me një kontratë 5 vjeçare me 191 milionë Dollarë, ndërkohë që i gjithë problemi qëndron te Durant. Myers shpjegon se lojtari ka fituar të drejtën si lojtar i lirë që të marrë vendimin që dëshiron, por i shpreson që Durant të kthehet pasi konsiderohet se basketbollisti ideal për Golden State

Top Channel