Vuçiç uron Trump për ditëlindje, e fton të vizitojë Serbinë

14/06/2019 18:16

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i uroi ditëlindjen shefit të shtëpisë së bardhë, Donald Trump dhe e shfrytëzoi këtë moment, për të bërë edhe disa kërkesa për Kosovën.

“Më lejoni të shfrytëzoj rastin që t’iu bëj ftesë të vizitoni Serbinë, sepse asnjë president i SHBA-së nuk e ka bërë këtë në gati katër dekada. Serbia dhe SHBA ishin miqësore me njëra-tjetrën, duke luftuar së bashku kundër padrejtësive në dy luftëra botërore, mes nesh ekzistojnë lidhje të fuqishme historike”, thuhet në urimin e tij.

Vuçiç ka kërkuar që raportet mes Serbisë dhe SHBA-së të kthehen në nivelin e kaluar e këtu, siç thonë mediat në Kosovë, përmendi gatishmërinë e Trumpit për zhvillimet në Ballkan duke qenë se disa herë ka shfaqur interesim për të ndihmuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

“Siç e dini edhe ju, zoti President, – ka shkruar Vuçiç, me problemin e Kosovës janë duke u shkelur interesat jo vetëm të Beogradit dhe Prishtinës por edhe të temave të ndryshme ndërkombëtare që krijojnë manipulime dhe destabilizim të pafund politik.

Askujt nuk i intereson më shumë të zgjidh këtë problem më shumë sesa Beogradit, nënvizon ai, duke theksuar se e di që Shtetet e Bashkuara kanë një raport të veçantë me Kosovën, por se beson që Trumpi, do të ndjekë një politikë tjetër.

“Duke parë punën tuaj energjike dhe gatishmërinë për ndryshime, kërkoj të ndikoni që Prishtina të heqë taksën ndaj mallrave serbe, në mënyrë që dialogu, mes palëve të vazhdojë”, thuhet në mesazhin e Vuçiç.

Top Channel