Punimet për rikualifikimin e kalldrëmeve të qendrës historike në Gjirokastër vijojnë të mbeten pjesë e diskutimeve dhe debateve mes ekspertëve.

Projektit me vlerë rreth 137 milionë lekë ju desh të zgjidhë shumë të papritura që nuk ishin pjesë e planifikimit dhe shumë probleme të tjera nuk do të marrin zgjidhje gjatë procesit të zbatimit aktual.

Aleksandër Pesha qytetar i Gjirokastrës, njëkohësisht inxhinier dhe pjesë e shumë projekteve të restaurimit thotë se është duke denoncuar çdo ditë teknikat e gabuara që po zbatohen me kalldrëmet. Njëri prej akseve që është duke përfunduar ka humbur sipas tij memorien e perspektivës së rrugës.

Pas denoncimeve të shumta pjesë të kalldrëmit po prishen në disa segmente dhe po rindërtohen. Por Pilo Dhame inxhinieri i kantierit të ndërtimit thotë se në një projekt kaq masiv ku janë përfshirë rreth 25 mjeshtra problemet nuk përjashtohen, por sipas tij në akset e përfunduara kuotat janë respektuar plotësisht.

Rehabilitimi i infrastrukturës nëntokësore të pazarit është realizuar në masën 90 për qind, ndërsa kalldrëmi është rikthyer në pazar në 45 për qind të sipërfaqes.

Punimet për rikualifikimin e kalldrëmeve në pazarin e Gjirokastrës nisën nëntorin e kaluar. Prishja fillimisht e kalldrëmeve të ndërtuara në vitin 1968, u shoqërua me reagime të ashpra dhe dyshime të forta jo vetëm të lidhura me cilësisë së punimeve, por edhe me rrezikun e humbjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në një qytet të mbrojtur nga UNESCO.

Top Channel