Pasuritë natyrore të Shqipërisë prodhojnë fitime marramendëse, por pjesa dërrmuese e tyre shkon për një grusht kompanish dhe jo tek qytetarët. Rasti më flagrant është ai i shfrytëzimit të naftës.

Vitin e kaluar, Bankers Petroleum, fitoi 24 milionë euro nga prodhimi i naftës në vendburimin e patos Marinzës. Por edhe pse ishte kompania e pestë me fitimin më të lartë në Shqipëri për 2018-ën, ajo nuk derdhi asnjë lek tatim fitimi në Buxhetin e Shtetit duke pretenduar se ende nuk ka rikuperuar plotësisht kostot e investimeve të kryera.

Marrëveshja koncesionare e lidhur në vitin 2004 i lejon kompanisë të mos paguajë asnjë lekë tatim fitimi deri sa të ardhurat nga shitja e naftës të rikuperojnë plotësisht të gjitha investimet që ajo ka bërë nga dita e parë e koncesionit.

Por edhe pse shfrytëzon vendburimin më të madh të Europës kontinentale prej 15 vitesh duke arkëtuar mbi 3.5 miliardë euro nga shitja e naftës, Bankers vazhdon të deklarojë se të ardhurat që ajo fituar nuk i kanë barazuar ende investimet.

Autoritetet shqiptare dyshojnë se një pjesë e kostove që bankers deklaron si investime janë fiktive dhe të fryra artificialisht. Por kompania nuk e pranon. Kjo përplasje vazhdon prej disa vitesh dhe deri më tani ka fituar gjithmonë bankers, e cila nuk i paguan shtetit asnjë lekë tatim mbi fitimin.

Por jo vetëm kaq. Këtë vit aksionerët e Bankers do të përfitojnë një tjetër favor; uljen e taksës mbi dividentit. Sipas bilancit zyrtar, aktualisht bankers ka rreth 300 milionë euro fitime të pashpërndara. Kur këto para tu shpërndahen aksionerëve si dividentë, ata nuk do të paguajnë më taksë 15 për qind, por vetëm 8 për qind.

Nafta e Patos Marinzës, një nga pasuritë më të mëdha publike të shqiptarëve ka prodhuar qindra milionë euro fitime. Por pjesa dërrmuese e këtyre parave janë tretur në llogaritë e bankës dhe nuk kanë shkuar asnjëherë në arkën publike.

Top Channel